I shkarkuar shtatë ditë më parë me urdhër të Kryeministrit Sali Berisha, ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk gjendet në vilën e tij pranë Qytetit Studenti. Porta e shtëpisë është e mbyllur. Qepenat e garazhit, po ashtu. Edhe qeni, që ka për detyrë të ruajë shtëpinë e Pangos, kur i afrohesh portës, nuk leh më. Të shikon në sy dhe nuk bënë zë. Duket sikur edhe ai e ka marrë vesh "gjëmën".
Në katin e dytë të shtëpisë katërkatëshe, dritarja është hapur, ashtu edhe llamba e njërës prej dhomave të shtëpisë është e ndezur. Në ballkon janë të varura disa tesha. Kjo tregon së në shtëpi ka njerëz. Tentojmë dhe i biem ziles, por askush nuk përgjigjet. Nga ana tjetër e citofonit ka vetëm heshtje.
Sipas komshinjve që banojnë pranë ish-ministrit, sot ai nuk ka dalë herët nga shtëpia, si zakonisht. Aty nuk ka më një person me kostum që rri te porta dhe një makinë që e pret te dera. Ndoshta, ministri ka bërë disa orë më shumë gjumë këto ditë.
Është parë bashkë me makinën e tij të lërë shtëpinë pas dreke. Na tregojnë së në banesën e tij gjendet vetëm e ëma, e cila është invalide dhe nuk mund te lëviz .
Pas tentativash të njëpasnjëshme për të komunikuar me të, asgjë. Kjo është vetëm situata në gjysmën banesës.
Gjysma tjetër është e banuar nga familja e motrës së tij. Përsëri tentojmë për të folur me motrën, por na përgjigjet vetëm e mbesa, e cila thotë se nuk ka njeri në shtëpi. Duke qëndruar përballë shtëpisë së ish-ministrit, një nga banorët e kësaj zone na pyet nëse "ishim studente..".
Kur i treguam se jemi gazetare, nisi të buzëqeshte. Na tha se sa herë që bënte atë rrugë, ishte mësuar të shihte ndonjë vajzë që priste hapjen e asaj porte.
"Kur e pashë në televizor, mendova: "Namin të dalë e kishte, po këtë herë e prishi fare punën".
Fqinji merr rrugën të ecë, duke thënë: "u prish dynjaja fare..Dërgoje po deshe vajzën në shkollë..". Askush nuk mund të na thotë se ku mund të gjendet Pango tani...
Fqinji Kurt Kola: Këtu e njohim mirë z. Pango
Kurt Kola është komshiu i ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango. E ka shtëpinë përballë me vilën e tij. Ai pohon me ironi se "në lagje ka ndryshuar klima".
"Zemërimi i Pangos ka mërzitur edhe kohën, e shikoni që po bie shi".
Pastaj z.Kola bëhet serioz: "T% paktën nuk ka më eskortë që të na bllokojë rrugën para derës".
Ai shton më pas se në lagje nuk kanë munguar asnjëherë thashethemet për "komshiun tonë Don Zhuan".
Z.Kola çfarë mendimi keni për ish-ministrin, Ylli Pango?
Ne i dinim këto bëma të tij. Unë këtu e kam shtëpinë, përballë tij dhe e shikoja çfarë ndodhte përditë. Por dalja në televizion e fundosi fare. Mbaj mend që e kam parë atë gocën e Fiksit një ditë këtu përpara derës, po priste. Jam i bindur që ajo nuk është as e para e as e fundit.
Dmth keni parë edhe të tjera të hyjnë?
Ai kështu është mësuar.
E keni parë sot z.Pango?
Sot, ndryshe nga herët e tjera, e kam parë të dalë shumë vonë nga shtëpia. Ka vetëm të ëmën aty, e cila është sakate. Kanë ardhur disa televizione që kanë filmuar shtëpinë, po brenda nuk besoj të jetë futur njeri.
Çfarë do ndodh me të sipas jush?
E çfarë do ndodh aman.. Do harrohet. Këtu në lagje ndoshta jo. Ai nuk është as i ri, që ta rregullojë me vonë biografinë e tij, është burrë në moshë.
Ju e njihnit më parë Ylli Pangon?
E njoh si gjithë të tjerët, e kam komshi, shkëmbej me të vetëm një mirëmëngjesi, mirëmbrëma. Të them të drejtën, nuk kam pas respekt për atë njeri, pasi e shihja se çfarë bënte. Për mua është gjynah që Pango ka qëndruar deri tani ministër Kulture.
Gazeta: Shekulli











